Pse te votosh për Fatonin?
Sepse Fatoni është përfaqësuesi më i denjë dhe më i vërtetë i të gjithëve. Ai është me ju, për ju, dhe nga ju. A nuk është kërkesë dhe dëshirë e qytetarëve të Gjilanit për jetë më të mirë dhe për një komunë më përparimtare? Fatoni ka vullnet të pastër për të punuar në të mirë të të gjithë gjilanasëve pa asfarë dallimi a privilegjimi, për çka edhe është kandiduar si i pavarur. Fundja, kryetari i komunës duhet të jetë përfaqesues i përgjithëshëm i të gjithëve dhe i paanshëm - dhe në politikën kosovare ne e dijmë se liderët e dalë si produkte partiake u mbesin besnikë partive të tyre dhe punojnë shumëherë njëanshëm në favor të grupacioneve të ndryshme duke lënë anash interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Mandej, shkollimi dhe eksperienca e tij në Amerikë dhe nëpër botën perëndimore i ka mundësuar Fatonit të krijojë lidhje të mira me shumë personalitete dhe organizata Amerikane e ndërkombetare të cilët lehtë do t'i angazhonte në plane zhvillimore për Gjilanin dhe në të mirë të komunës sonë. Përfundimisht, ai sinqerisht beson në nevojën e sinqertë të komunës së Gjilanit për ecje përpara dhe jo stagnim për shkak të kacafytjeve partiake, për transparencë dhe efikasitet të qeverisjes lokale, per zhvillim ekonomik lokal të qëndrueshëm, dhe për një administratë lokale nën lidership të pervojës Amerikane.
Gjilanasit në pergjithësi thonë se janë të ngopur me premtime të parealizuara; me familjarizëm; me mosfunksionim të denjë të ligjit; me privilegjim të grupeve të caktuara politike; me moszhvillim ekonomik; me papunësi; me sistem të dobët të shëndetësisë; me administratë lokale joefikase; me korrupsion; dhe me mungesë të perspektivës. Të rinjtë gjilanas, në veçanti, thonë se janë të ngopur me sistem shkollor joefikas; me mungesë të kushteve të duhura për shkollim adekuat; me pamundësi për të fituar përvoja pune brenda dhe jashtë Kosovës; me mungesë të vendeve zbavitëse dhe sportive; dhe me mungesë të një të ardhme me mundësi zhvillimi profesional dhe punësimi. Edhe punonjësit e arsimit dhe ata të shëndetësisë si dhe mbrojtësit e rendit publik nuk kanë as kushtet elementare për kryerje të denjë të obligimeve të tyre dhe për avancim te mëtutjeshëm profesional.
Dhe, për të gjithë, normalisht vlenë fakti se gjendja ekonomike është krejtësisht e papranueshme. Prandaj, Fatoni përfaqëson atë që ka mundësi reale të ofrojë zgjidhje të vërteta për keto probleme. Është i ri, energjetik, i arsimuar, me pervojë, dhe mbi te gjitha i perkrahur nga fuqia që edhe sot po mbanë Kosovën - SHBA-të, dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e ndonjë qeverisje apo grupacioni politik në Kosovë, gjë që i ka ruajtur integritetin. Prandaj, si kryetar i Gjilanit, ai do të përfaqësonte liderin që do ta perkrahte bota perëndimore, sepse ai veç është i lidhur në arenën ndërkombëtare dhe këto lidhje do t'i shfrytezojë krejtësisht në të mirë të Komunës së Gjilanit.
Në fund, e rëndësishme është që në këto zgjedhje, ju keni mundësi të votoni për një lider të duhur për komunën dhe në të njejtën kohë të votoni për partitë tuaja favorite për kuvendin komunal dhe parlamentin.
Prandaj, bëje zgjedhjen e duhur. Voto Fatonin për Kryetar të Komunës së Gjilanit dhe sjellë në krye të Gjilanit përfaqësuesin e të gjithë gjilanasëve, liderin e ri të stilit perëndimor. Atij i beson Amerika, besojë edhe ti! Jepi mundësinë dhe përgjegjësinë për të bërë Gjilanin një komunë perëndimore.
