Kosova Sot: Blic intervistë me kandidatët për kryetarë të komunës së Gjilanit
Faton H. Bislimi Kandidat i Pavarur
1. Çka ju ka motivuar të kandidoni për kryetar?
Mundësia për të bërë ndryshime pozitive për Gjilanin. Është koha që më në fund komuna jonë të qeveriset në mënyrë profesionale dhe të ecet drejt progresit e jo stagnimit dhe regresit që kanë sjellur për gjilanasit përqarjet dhe kacafytjet partiake deri më tani. Qytetarët janë dëshmitarë të ngecjes. Tani, kanë mundësinë që në krye të komunës të sjellin lidership të ri me përvojë në institucionet më të larta të pushtetit të majës së demokracise – në Kongresin e SHBA-ve, me shkollim të nivelit më të mirë botëror, dhe lidhje të fuqishme bashkëpunimi me personalitetet me influencë në Amerikë, si kongresistë, senatorë, e biznesmenë.
E rendësishme është të ceket, se vullneti im për ta vënë në disponim dhe në të mirë të vendlindjes sime gjithë kapacitetin tim, nuk ka asnjë lloj lidhjeje interesi personal apo familjar. Unë jam i shkolluar në SHBA dhe mbajë dokumentacion të rregulltë për punë në SHBA si dhe kam shtetësi Kanadeze. Prandaj, dua që të gjithë atyre që duan të ikin nga Gjilani për në botën e jashtme, vecanërisht rinisë, t’u krijojë mundësi përparimi këtu, duke dhënë edhe vetën time si shembull të mundësisë për punë të frytshme këtu.
2. A iu frikësoheni kundërkandidatëve?
Së pari, unë i respektoj si individë të gjithë ata që pretendojnë kreun e Gjilanit. Sa për frikë, nuk i frikohem asnjë kundërkandidati, pasi që puna ime dhe e kaluara ime në cdo aspekt janë të pastërta dhe me vlera të pakontestueshme. Fatmirësisht, kam njohuri për të gjithë kundërkandidatët dhe një pjesë të tyre e njoh me vite. Besoj se ajo nga e cila duhet friguar secili kandidatë është mospërmbushja e premtimeve të mëherëshme dhe dështimi në zgjidhjen e problemeve të gjilanasëve. Por, edhe në këtë aspekt unë nuk kam arsye të frigohem pasi që nuk kam qenë asnjëherë pjesë e asnjë subjekti politik a qeveritar. Duke qenë politikisht i pavarur, unë përfaqësoj të gjithë gjilanasit dhe do të punoj për të gjithë në mënyrë të barabartë, e jo për grupe të vecanta të interesit apo politikës. Fatmirësisht, me sistemin e ri zgjedhor, edhe anëtarët e partive të ndryshme kanë rastin që të japin votën e tyre për lidership të denjë për Kryetar Komune, pa humbur mundësinë që t’i japin votën e tyre partisë së vet për Kuvendin Komunal. Prandaj, besoj se jam kandidati që simbolizon jo vetëm dëshirën, por edhe mundësinë reale për ndryshime pozitive për të ardhmen e të gjithë banorëve të Gjilanit.
3. Si do t’i zgjidhni problemet urbanistike në qytetin tuaj?
Problemet urbanistike të Gjilanit janë, fatkeqësisht, trashëgimi e mos-sundimit adekuat të ligjit në nivel të qeverisjes lokale. Thënë të drejtën, një pjesë e këtyre problemeve vjen si pasojë e favoreve politike që i janë bërë individëve apo bizneseve të ndryshme nga qeverisja lokale, por në dëm të banorëve të Gjilanit. Prandaj, të zgjidhesh një problem që dikush tjetër e ka krijuar nuk është e lehtë, por as edhe e pamundshme. Si Kryetar Komune, do të insistoja në zbatimin e ligjit për të gjithë njësoj. Fakti se unë në këtë post do të zgjidhesha jopolitikisht, por me besimin direkt të qytetarëve, do të pamundësonte favoret e ndryshme për cilindo grup të interesit apo partive politike. Për problemet ekzistuese, do të krijoja një komision të veçantë, profesionist, të pavarur, për strategjinë urbanistike të qytetit që do të vlerësonte fizibilitetin dhe mundësinë e rehabilitimit të cdo ndërtimi në kundërshtim me planin urbanistik të qytetit. Ndërsa, për të ardhmen, do iu siguroja banorëve të Gjilanit një administratë efikase në përgjithësi dhe një departament të urbanizimit të shpejtë dhe efikas në veçanti, që me kohë dhe në përputhje të plotë më ligjin në fuqi do të bënte vlerësimin për apo kundër licencimit të ndërtimeve, si dhe do tw krijoja një infrastrukturë sipas nevoja të qytetarëve dhe dukjes moderne të qytetit të Gjilanit.